Emra të rinj i futen garës, të vjetrit heqin dorë
Foto: Laura Hasani

Emra të rinj i futen garës, të vjetrit heqin dorë

Aktuale May 14, 2026 - 08:11

Secila listë i ka nga 110 kandidatë për deputetë.

E këto subjektet politike i dorëzuan të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Edhe këtë herë brenda tyre nuk munguan emrat e kandidatëve që për herë të parë e synojnë mandatin e deputetit.

Përmes partisë fituese të 28 dhjetorit, një ulëse po e kërkon ish-gazetari Arton Konushevci.

Për herë të parë garës zgjedhore, i hyri edhe ish-kryetari i këshillit kombëtar shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi.

Ndërsa njëjtë veproi edhe aktori, Armend Baloku.

Por, befasia më e madhe brenda listës së LVV-së, mban numrin 89.

Është fjala për imamin Osman Musliu nga Drenasi, i cili për herë të parë po e kërkon votën e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndërsa në listë vend nuk pati për emrat e njohur si Driton Hyseni, Gramos Agusholli, Hysen Durmishi, Egzona Tërdevci e Lulzim Hetemi.

Emra të ri të martën mbrëma u panë edhe në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Garës për deputetë, i është rikthyer ish-komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa – Remi.

Llapjani u rendit në numrin 15-të, kurse numër 32 gjendet një tjetër ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, Skender Hoxha.

Edhe një tjetër ish-ushtarake, u pa risi brenda listës së PDK.

Është fjala për ish-nënkryetaren e Vetëvendosjes, Aida Dërgutin, e cila kuvendin këtë herë po e synon përmes Partisë Demokratike të Kosovës.

Befasitë në këtë parti, nuk ishin vetëm emrat që u përfshinë në listë.

Jashtë saj, mbetën emrat si Abelard Tahiri, Kujtim Gashi e Ferat Shala.

E risitë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, erdhen bashkë me Vjosa Osmanin.

Njëra ndër to me numër 13 është Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe.

Në listën e LDK-së u prezantuan edhe kandidatët si Albena Reshitaj e Jeta Statovci, Visar Xani e Besim Kodra.

Ndërsa, këtu nuk u panë ish-deputetët si Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi e ish-ministrja Vlora Dumoshi.

E në top 10-shën e parë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, emri i ri është ai i ish-analistit politik, Avni Arifi.

Kurse këtë herë votën e qytetarëve nga AAK, nuk do ta kërkojnë ish-deputetët si Shemsedin Dreshaj, Pal Lekaj, Lahi Brahimaj, e Haki Abazi.

Ndryshe, përveç emrave të kandidatëve për deputetë, ende nuk janë zbuluar sloganet e partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit. /teve1