Osmani u kundërpërgjigjet pretendimeve të LVV-së rreth takimit rajonal me Grenellin
Mbrëmë ish-presidentja Vjosa Osmani dha një deklaratë të fortë, duke mohuar pretendimet rreth një takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues amerikan në New York.
Osmani, derisa ishte në një takim me qytetar, u pyet për këtë çështje dhe deklaroi se të gjitha pretendimet nga LVV-ja janë “gënjeshtra të fabrikuara nga manipulues profesionistë”.
“Ne e kemi vetëm të vërtetën në anën tonë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, pretendimi se takimi ishte mbajtur fshehtë është plotësisht i pavërtetë, pasi aktiviteti ishte publikuar në Përmbledhjen e Presidencës zyrtarisht që në shtator, në kohën kur kishte ndodhur.
Ajo mohoi gjithashtu akuzat se ambasadori i Kosovës në SHBA nuk kishte qenë prezent, duke theksuar se ambasadori Ilir Dugolli dhe kabineti presidencial kishin marrë pjesë dhe kishin ndjekur të gjithë prezantimin për potencialin ekonomik të Kosovës.
Por reagimi më i fortë erdhi ndaj pretendimeve se takimi ishte organizuar nga gazetari Baton Haxhiu.
“Takimi ishte organizuar si tryezë SHBA–Ballkani Perëndimor dhe ishte ftuar nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Scott Bessent, dhe ambasadori për misione të posaçme i Presidentit amerikan, Richard Grenell”, sqaroi Osmani.
Presidentja rikujtoi se në atë forum morën pjesë liderë rajonalë të nivelit të lartë, përfshirë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ministra dhe përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit.
“Aty nuk kishte dëshmitarë dhe as transkripte. Nëse ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën”, tha Osmani.