Kurti: Kosova nuk harron krimet e luftës, sot përkujtohen martirët e Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot mbi 120 civilë shqiptarë të vrarë në masakrat e Qyshkut, Zahaqit, Pavlanit dhe Llabjanit të Pejës, duke rikujtuar krimet e kryera nga forcat serbe gjatë muajit maj të vitit 1999.
Kurti rikujtoi se më 14 maj 1999, forcat e armatosura të Serbisë sulmuan fshatin Qyshk dhe zonat përreth, ku burrat shqiptarë u ndanë nga gratë dhe fëmijët, u dërguan në tri shtëpi, u vranë dhe më pas shtëpitë u dogjën bashkë me trupat e tyre.
Ai përmendi edhe masakrën e Korishës, të përkujtuar një ditë më parë, ku më 13 maj 1999 u vranë 77 civilë nga Korisha dhe disa fshatra përreth, ndër ta edhe 14 fëmijë.
Sipas Kurtit, gjatë javëve të para të majit 1999, “makineria ushtarake dhe policore e Serbisë po zbatonte projektin gjenocidal ‘Patkoi’ në Kosovë”, duke përmendur edhe masakra të tjera në Nabërgjan të Pejës, Studime të Vushtrrisë, Bukosh të Suharekës, Saradran të Istogut, Carrabreg të Deçanit dhe komunën e Gjakovës.
Kryeministri theksoi se drejtësia për këto krime ka qenë e ngadaltë, duke kërkuar ndëshkimin e autorëve dhe urdhërdhënësve të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.
“Kosova nuk mund të falë e as të harrojë krimet që shteti i Serbisë kreu gjatë luftës në Kosovë. Serbia e deshi tokën tonë pa neve. Por ne jemi ende këtu dhe po e forcojmë Republikën tonë”, deklaroi Kurti.
Në fund, ai nderoi të gjithë të rënët, martirët dhe dëshmorët e kombit, duke theksuar se sakrifica për liri kujtohet çdo ditë.