Zogjani ngre alarmin: Mungon ilaçi jetik për pacientët në dializë
Foto: Laura Hasani

Zogjani ngre alarmin: Mungon ilaçi jetik për pacientët në dializë

Aktuale May 18, 2026 - 08:39

Aktori Jeton Zogjani ka ngritur shqetësimin për mungesën e një ilaçi të domosdoshëm për pacientët që trajtohen me hemodializë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zogjani tha se ilaçi “Sevaren”, i cili përdoret nga pacientët në dializë, është vështirë të gjendet në tregun farmaceutik dhe se aktualisht familja e tij po përballet me mungesën e tij.

Ai bëri të ditur se babai i tij prej shtatë vitesh është në dializë dhe se për herë të parë kanë mbetur pa këtë terapi, duke e cilësuar situatën si shqetësuese.

“Ky është një ilaç shumë i nevojshëm për pacientët që janë në hemodializë. Ky ilaç jepet vetëm nga spitali dhe është shumë problem me u gjetë në tregun farmaceutik”, shkroi ai.

Zogjani gjithashtu i është drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke kërkuar reagim lidhur me këtë çështje.

Postimi i tij ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur shqetësim për furnizimin me barna esenciale për pacientët me sëmundje kronike.