Fahrije Hoti zbulon arsyen e futjes në garë për deputete të Kosovës
Kandidatja për deputete nga lista e LDK-së, Fahrije Hoti, ka zbuluar arsyen e kalimit të saj në politikë.
Hoti tha se gjithçka që ka arritur në aspektin e biznesit, e ka nisur nga zeroja, duke potencuar që nëse do të jetë deputete në Kuvendin e Kosovës, do t’u jetë afër qytetarëve, kryesisht grave.
“Unë kam nisur gjithmonë një rrugëtim nga zero dhe kam arritur këtu ku jam, sa i përket biznesit. Nuk vi nga politika, vi nga biznesi, jam bashkangjitur me LDK-në, konkretisht presidentes, që ka qenë presidentja më e mirë që na ka përfaqësuar në arenën ndërkombëtare dhe brenda në Kosovë. Unë kam qenë mesazh i mirë që në fakultete ndërkombëtare kanë mbrojtur tema të diplomës me historinë time, u kam ndihmuar shumë grupe të grave në Kosovë të bëhen bashkë të nisin diçka të ndërtojnë. Sot falë historisë dhe rrugëtimit tim, ka grupe të grave në tërë Kosovën që kanë marrë iniciativa të njëjta në tërë Kosovën, besoj që kam me iu qenë afër prapë edhe nëse kam fatin të jem deputete e parlamentit të Kosovës”, tha Hoti në Klan Kosova.