Hamza takim me 75-vjeçen: Më 7 qershor, bashkë do t’i themi stop krizës [Video]
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video nga vizitat që po zhvillon nëpër familje kosovare anekënd vendit, ku theksoi mbështetjen dhe vullnetin për ndryshim që, sipas tij, po e gjen te qytetarët.
Në videon e realizuar gjatë një vizite në Suharekë, Hamza shfaqet pranë nënës Arife, për të cilën tha se, pavarësisht moshës së shtyrë, vazhdon të mbetet e përkushtuar për të dhënë kontribut për Kosovën.
“Nëpër dyert dhe zemrat që po na i hapin familjet kosovare anekënd Kosovës, po gjejmë vazhdimisht shumë dashuri, mbështetje dhe vullnet për ndryshim”, ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë moment bashkimi për qytetarët e Kosovës, pa dallim moshe apo profesioni.
“Më 7 qershor, të moshuar e të rinj, burra e gra, profesionistë, punëtorë e ndërmarrës, do të bëhemi bashkë për t’i thënë: STOP krizës. Sepse vetëm bashkë do ta ndryshojmë Kosovën!”, thuhet në mesazhin e tij.
Postimi është shpërndarë në kuadër të sloganit të fushatës së PDK-së: “STOP Krizës. Ndrysho Kosovën”.