KQZ-ja certifikon Listën Votuese për zgjedhjet e 7 qershorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Vendimi u mor në mbledhjen e 54-të të KQZ-së, të kryesuar nga Kreshnik Radoniqi dhe e mbajtur në mënyrë elektronike.
Sipas të dhënave të publikuara, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 2,092,174 votues, ose 15,884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Nga ky numër, 1,959,962 qytetarë do të votojnë brenda Kosovës, ndërsa 132,212 janë regjistruar për votim jashtë vendit. Prej tyre, 100,970 do të votojnë përmes postës jashtë Kosovës, 3,518 përmes kutisë postare në Kosovë dhe 27,724 fizikisht në përfaqësi diplomatike.
KQZ-ja bëri të ditur se në zgjedhjet e 7 qershorit do të votojnë për herë të parë 22,685 qytetarë. Nga ta, 16,934 kanë mbushur moshën 18-vjeçare pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa 5,751 janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Ndërkohë, nga lista votuese janë larguar 6,801 persona, përfshirë 6,165 persona të evidentuar si të vdekur, 419 që kanë humbur shtetësinë dhe 217 të larguar pas të dhënave të pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të organizohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa jashtë Kosovës votimi fizik do të mbahet në 30 përfaqësi diplomatike me 47 vendvotime.
Votimi në ambasada dhe konsullata do të zhvillohet më 6 qershor 2026. /Zëri
