Nis sanimi i kanalit kryesor të ujitjes në Burim të Istogut

Nis sanimi i kanalit kryesor të ujitjes në Burim të Istogut

Aktuale May 22, 2026 - 22:36

Të premten është nënshkruar Marrëveshja e Mirëkuptimit për financimin e projektit “Sanimi i Kanalit Kryesor, Ana e Djathtë e Burimit në Istog me gjatësi L = 1,574 m”, ndërmjet ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe KRU “Drini i Bardhë” Sh.A. Pejë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ky investim synon rehabilitimin e njërit prej sistemeve kryesore të ujitjes në zonën e Istogut, me qëllim të rritjes së efikasitetit në furnizimin me ujë për tokat bujqësore dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe prodhimit vendor.

Ministri në detyrë i këtij dikasteri, Armend Muja theksoi se projekti përbën një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë dhe menaxhimin më efikas të burimeve ujore në Komunën e Istogut.

Sipas tij, përmes këtij projekti do të rehabilitohen mbi 1.5 kilometra të kanalit kryesor dhe do të vendoset një sistem modern që siguron shfrytëzim më efikas të ujit.

Ai bëri të ditur se MBPZhR-ja do ta financojë në tërësi këtë investim në vlerë prej rreth 469 mijë euro.

Marrëveshja parasheh që projekti të financohet 100% nga MBPZhR-ja, ndërsa KRU “Drini i Bardhë” do të jetë përgjegjëse për zbatimin e projektit, procedurat e prokurimit, mbikëqyrjen profesionale dhe mirëmbajtjen pas përfundimit të punimeve. Të gjitha punimet dhe procedurat financiare pritet të përfundojnë brenda vitit 2026. /Klankosova