Haziri: Gara zgjedhore është mes Osmanit dhe Kurtit
Foto: Laura Hasani

Haziri: Gara zgjedhore është mes Osmanit dhe Kurtit

Aktuale May 23, 2026 - 22:07

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri  ka thënë se kthimi i Vjosa Osmanit në LDK ka ardhur pasi ajo beson që ndryshimi bëhet me LDK-në, pasi dikur kishte besuar që një gjë e tillë mund të ndodhë me Kurtin.

“Vjosa Osmani është presidentja e ardhshme e Republikës. Osmani para disa vitesh i është bashku LVV-së dhe z. Kurtit në proces politik, me besim për ndryshim e ka pa për pesë vjet që ai ndryshim me besim ma së miri ndodhë me LDK-në dhe është kthyer me vazhdua atë që beson”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se Kurti dëshiron një president pa funksion dhe i ka penguar siç ka thënë ai puna e mirë që ka bërë Osmani në përfaqësimin e vendit.

“z.Kurti po beson që presidenti i Republikës si institucion përfaqësues nuk duhet me qenë e sforcune, aq sa Vjosa Osmani e ka përfaqësua politikën e jashtme, sigurinë kombëtare. Z. Kurti këtë nuk pe donë, po donë president në letër, mu dok mirë dhe me mos me pas funksion. Por, këtë e bëjnë liderët e partive politike, nuk është që po ndodhë për herë të parë. Është besuar para 5 viteve në binomin Kurti –Osmani”, është shprehur Haziri.

Haziri ka thënë se gara në zgjedhjet parlamentare është mes Osmanit dhe Kurtit. Këtë bindje ai thotë se ka nga bisedat me qytetarët që sipas tij secilin që e pyet se për kë do të votoj, thonë “Osmanin ose Kurtin”.

“Gara është duke u zhvilluar mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit edhe është duke u ba për dy zyre kryesore që Kuvendi ka me realizua. LDK-ja me rrit rolin e vet që Vjosa Osmani mu nomin për president, ku merr vota të mjaftueshme. Ose Lumir Abdixhiku me u nominuar si kryeministër sipas rregullt të partisë që fiton ose nderon bashkëpunim me të tjerët”, ka thënë ai në Tëvë1.

Vjosa Osmani është bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate për presidente. Ajo u rikthye në LDK pas përfundimit të mandatit si presidente dhe mos kandidimit nga LVV edhe për një mandat.

Osmani ka filluar fushatën me akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sidomos në raportet me ShBA-në. Këto akuza të saj po kritikohen nga disa analistë politik, duke thënë se ajo po e bënë për fushatë dhe shqetësimet që po i ngrit është dashur t’i bëjë më herët.