23 të vdekur nga aksidentet në Kosovë në 4 muajt e parë të vitit
Numri i aksidenteve rrugore mbetet i lartë, ndërsa rastet me pasoja fatale kanë ngritur shqetësim tek qytetarët dhe institucionet. Autoritetet po kërkojnë më shumë kujdes nga vozitësit për të parandaluar tragjedi të tjera në rrugë.Gjatë muajve të fundit, numri i aksidenteve në rrugët e Kosovës ka vazhduar të mbetet shqetësues. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në prill janë regjistruar 22 aksidente fatale, me gjithsej 23 persona të vdekur.
Sipas ekspertit të komunikacionit, Visar Baxhuku, rritja e numrit të pjesëmarrësve në trafik, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe infrastruktura e papërshtatshme po kontribuojnë në numrin e lartë të aksidenteve.
Punimet që zhvillohen në lokacione të ndryshme vazhdojnë të jenë një ndër shkaktarët e aksidenteve.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë paralajmëruar vazhdimin e kontrolleve të shtuara në trafik, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion./rtk