Mish e bakllava: Bajrami dikur dhe tash
Foto: Laura Hasani

Mish e bakllava: Bajrami dikur dhe tash

Aktuale May 27, 2026 - 20:23

Tregu i kurbaneve në Kosovë po përballet me rënie të dukshme të kërkesës, ndërsa blegtorët nga Vitia dhe Fushë-Kosova raportojnë shitje më të dobëta krahasuar me vitet e kaluara.

Në Viti, një nga blegtorët thotë se çmimet variojnë nga 200 deri në 600 euro, por pavarësisht ofertës, shitjet kanë ngecur. Sipas tij, deri tani janë shitur rreth 50 krerë bagëti, ndërsa arsye kryesore për këtë situatë e sheh fuqinë e ulët blerëse të qytetarëve dhe çmimet e larta në treg. Ai kërkon edhe më shumë mbështetje institucionale, si dhe apelon që Bashkësia Islame e Kosovës të blejë më shumë nga blegtorët vendorë, në vend të importit nga jashtë, raporton Klankosova.

Edhe në Fushë-Kosovë, situata nuk paraqitet më e mirë. Një tjetër blegtor thotë se çmimet e kurbaneve këtë vit lëvizin nga 180 deri në 250 euro, ndërsa rreth 60 krerë janë shitur deri më tani. Sipas tij, puna dhe mundi shpërblehen, duke shtuar se këtë vit shitjet janë më të dobëta për shkak të gjendjes ekonomike dhe mungesës së parave tek qytetarët.

Ndërkohë, Bashkësia Islame e Kosovës ka rikujtuar qytetarët që mbetjet e kurbanit të trajtohen me kujdes dhe të mos hedhen në mënyrë të papërshtatshme, duke theksuar se kjo praktikë është e ndaluar sipas rregullave fetare dhe higjienike.

Në anën tjetër, qytetarët  shprehen se përgatitjet për Bajram janë më të vështira këtë vit. Ata thonë se bakllavat dhe ushqimet po blihen, por mungesa e vizitorëve dhe gjallëria tradicionale e festës nuk është si dikur.