Dyshime se ushtarakët e lartë deshën të bëjnë fëmijët e tyre oficerë, anulohet konkursi
Një proces që duhej të përfaqësonte meritokracinë dhe ngritjen profesionale në radhët e ushtrisë përfundoi me anulim.
Ndërkohë, zhvillimet që e shoqëruan këtë procedurë hapën dyshime serioze për ndërhyrje dhe cenim të barazisë në garë.
Në fillim të këtij viti, Ministria e Mbrojtjes kishte planifikuar gradimin e pjesëtarëve të ushtrisë, përkatësisht ngritjen e disa nënoficerëve në oficerë.
Për këtë qëllim, në janar të vitit 2026, u hap një konkurs për përzgjedhjen e 30 kandidatëve.
Procedura fillestare u zhvillua pa probleme, deri në momentin kur dhjetëra kandidatë iu nënshtruan testimit për këto pozita.
Megjithatë, burime të Kiks Kosovës bëjnë të ditur se brenda institucionit pati rrjedhje të testit dhe disa kandidatë morën paraprakisht përgjigjet e gatshme.
Sipas të njëjtave burime, autoritetet e Ministrisë e kuptuan situatën pasi analizuan rezultatet e testimit, ku u vërejtën performanca të dyshimta.
Si pasojë, më 3 mars 2026 u mor vendimi për anulimin e të gjithë procedurës.
“Të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në konkursin e shpallur më 20.01.2026 për përzgjedhjen e 30 kandidatëve për kalim nga Nënoficer në Oficer në AM/KDS, njoftohen se ky konkurs anulohet me miratimin e Ministrit të Mbrojtjes.”
Mirëpo, në vendim nuk pati asnjë arsyetim.
Kiks Kosova ka mësuar se arsyetimi që u është dhënë kandidatëve ka qenë mungesa e buxhetit për këto pozita, ndërsa nuk është përmendur fare dyshimi për rrjedhjen e testit.
Ndërkohë, mësohet se brenda ministrisë ka nisur një hetim i brendshëm, me autorizim të gjeneralit Bashkim Jashari, nën urdhrin e të cilit është marrë edhe vendimi për anulimin.
Para disa ditësh, Kiks Kosova ka dërguar pyetje zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me këtë rast, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.