Vdekjet në vendin e punës, Mehani: Punëdhënësit kanë obligim të ofrojnë kushte të sigurta për punëtorët
Foto: Laura Hasani

Vdekjet në vendin e punës, Mehani: Punëdhënësit kanë obligim të ofrojnë kushte të sigurta për punëtorët

Aktuale May 29, 2026 - 18:20

Miftar Mehani, ekspert i shëndetit dhe sigurisë në punë, ka deklaruar se çdo lëndim në vendin e punës duhet të trajtohet me seriozitet të plotë nga punëdhënësi dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se së fundmi vdekjet në vendin e punës po ndodhin si pasojë e moszbatimit të masave mbrojtëse.

Sipas Mehanit, përgjegjësi për trajtimin e rasteve kanë si punëdhënësit ashtu edhe Inspektorati i Punës, i cili është organi i autorizuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit, sigurisë dhe shëndetit në punë.

Ai ka theksuar se çdo rast duhet të trajtohet veçmas, në mënyrë që të zbulohet shkaktari dhe të identifikohet pala që ka neglizhuar marrjen e masave mbrojtëse.

“Lëndimet në punë duhet të trajtohen, duhet të trajtohen edhe nga punëdhënësi por edhe nga Inspektorati që është trup e autorizuar që të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjshmërisë, sigurisë dhe shëndetit në punë. Trajtimi duhet të bëhet i veçantë për secilin rast të aksidenteve – duhet të gjendet e vërteta dhe të dihet se kush ka qenë ai që ka neglizhuar marrjen e masave. Duhet të vihen nën kontroll shkaktarët e këtyre lëndimeve në vendin e punës që të njëjtat që mos përsëriten. Sa herë ndodhin lëndime në punë kemi të bëjmë me mos marrjen e masave mbrojtëse adekuate nuk ka vend pune që është i krijuar dhe që mund të lë vend për lëndime qofshin të lehta apo të rënda. Të gjitha vendet e punës janë të dizajnuara që më respektimin e masave mbrojtëse punëtori ta kryej punën i sigurt dhe nëse ndodh lëndimi atëherë dikush ka shmang marrjen e masave mbrojtëse qoftë nga punëtori qoftë nga punëdhënësi që duhet t’i ofrojë të gjitha masat mbrojtëse të punës për punëtorët”, u shpreh Mehani./dukagjini