“Jeta e një fëmije vlen më shumë se çdo propagandë politike”, reagon Shoqata për Fibrozë Cistike

“Jeta e një fëmije vlen më shumë se çdo propagandë politike”, reagon Shoqata për Fibrozë Cistike

Aktuale May 29, 2026 - 19:24

Shoqata për Fibrozë Cistike ka kritikuar qeverinë në detyrë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje duke thënë se “shteti gjen miliona për vendime me karakter politik e elektoral”, por nuk gjen zgjidhje konkrete për fëmijët që kanë nevoja urgjente për trajtim.

“Sot, në kulmin e fushatës, po ndahen miliona euro për bileta avioni nga qeveria në detyrë, ndërsa fëmijët me Fibrozë Cistike vazhdojnë çdo ditë betejën për frymën dhe për të drejtën më bazike jetën. Në Kosovë dhe Shqipëri, dhjetëra familje po detyrohen të largohen nga vendi. Jo për luks, jo për një jetë më të mirë, por vetëm sepse fëmijët e tyre nuk kanë qasje në terapinë jetike si Trikafta”, thuhet në reagimin e ShFC-së.

“Është revoltues fakti që shteti gjen miliona për vendime me karakter politik e elektoral, ndërsa për fëmijët që kanë nevojë urgjente për trajtim nuk ekziston ende një zgjidhje konkrete. Për këta fëmijë, çdo ditë pa terapi nënkupton dëmtim të pakthyeshëm të mushkërive, vuajtje dhe humbje shprese”.

Tutje në reagimin e kësaj shoqate, ata bënë thirrje që urgjentisht të sigurohen terapitë për pacientët me fibrozë cistike, dhe ta kenë prioritet kombëtar.

“Mbi 80% e familjeve janë detyruar të marrin rrugën e gurbetit, të zhgënjyer dhe pa asnjë shpresë nga institucionet që duhet t’i mbronin”.

“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë jetë. Kërkojmë dinjitet. Kërkojmë që asnjë prind të mos detyrohet ta lërë vendin vetëm për t’ia shpëtuar jetën fëmijës së tij”.

“I bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që urgjentisht të sigurojnë terapitë për pacientët me Fibrozë Cistike dhe ta trajtojnë këtë çështje si prioritet kombëtar. Sepse jeta e një fëmije vlen më shumë se çdo propagandë politike”.