Nis rehabilitimi i sistemit të ujitjes me investim prej 1.7 milion eurosh
Rehabilitimi i sistemit të ujitjes në Kosovë ka nisur avancimin përmes projekteve që synojnë zgjerimin e sipërfaqeve bujqësore. Ministria e Bujqësisë nënshkroi marrëveshje për përmirësimin e furnizimit me ujë për qindra hektarë tokë, në disa komuna të vendit. Këto masa parashihen të reduktojnë humbjet e ujit dhe të rrisin efikasitetin e prodhimit bujqësor.
Me një investim fillestar prej 1.7 milion eurosh, ka nisur rehabilitimi i sistemit të ujitjes, hap ky që ngërthen në vete zgjerimin e sipërfaqeve bujqësore, duke reduktuar humbjet e ujit dhe duke nxit rritjen e efikasitetit të prodhimit bujqësor.
Hapi i parë i Ministrisë së Bujqësisë u shënua në Obiliq me nënshkrimin e një marrëveshje, për të vazhduar tutje me projekte në funksion të përmirësimit të furnizimit me ujë për qindra hektarë tokë, edhe në komuna të tjera si Mitrovicë, Pejë, Gjakovë e Suharekë.
Faza e parë e projektit përfshin ndërhyrjen në gypin e sistemit të ujitjes të Ibër Lepencit në territorin e Obiliqit, duke mundësuar rehabilitimin e rrjetit ekzistues.
"Kjo zonë po ashtu do të shpallet si zonë e veçante e hortikulturës intenzive në mënyrë që Ministria e Bujqësisë ti ketë programet e granteve dhe subvencioneve t'i mbështesim bujqit tanë ne sistemin e ujitjes me qëllim që të prodhojnë dhe adresojnë nevojat që i ka Kosova për tregun e brendshëm, intervenim si kjo jo vetëm që ndikon në adresimin e deficitit tregtar por e rëndësishme sipas deklarimit të ekspertëve që 30 deri 40 përqind e përmirëson edhe rendimentin e bujkut dhe rrjedhimisht edhe të ardhurat që i kanë bujqit tanë”, tha Armend Muja ministër në detyrë i Bujqësisë.
Rehabilitimi i sistemit të ujitjes do t’u mundësojë bujqëve të Obiliqit, të shmangin shpenzimet për sisteme individuale të ujitjes.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, e cilësoi projektin si hapin e parë drejt modernizimit të infrastrukturës së ujitjes.
Sipas tij, rehabilitimi do të përfshijë rreth 900 hektarë tokë pjellore, ndërsa në fazat e ardhshme do të bëhet zëvendësimi gradual i gypave të vjetër të asbestit me infrastrukturë më moderne dhe më të sigurt.
Marrëveshje pë sistemin e Ujitjes u nënshkrua sot edhe me kompaninë rajonale të ujësjellësit “Radoniqi”, që përfshin zonën e komunave Gjakovë dhe Suharekë. /rtk