A do duhej që diaspora ta kishte një përfaqësues në Kuvend?
Foto: Laura Hasani

A do duhej që diaspora ta kishte një përfaqësues në Kuvend?

Aktuale May 30, 2026 - 21:20

Përfaqësuesit e partive politike, përveç fushatës në Kosovë, kanë bërë edhe jashtë saj, duke udhëtuar edhe në drejtim të vendeve evropiane ku jetojnë më shumë qytetarë të Kosovës, si Zvicra e Gjermania.

Por njohësit e politikës thonë se duhet përfaqësim të mërgatës edhe në Kuvend, derisa një gjë të tillë e kërkojnë edhe vet bashkatdhetarët, me ulëse të rezervuara në parlament.

Për ta, flitet vazhdimisht.

Madje nga Kosova, liderët e partive politike shkojnë edhe në mërgatë për fushatë.

Diasporën e shohin si faktorë të rëndësishëm për zgjedhje në Kosovë.

Por bashkatdhetarët nuk kanë një përfaqësues në Kuvendin e Kosovës.

Osman Osmani që jeton në Zvicër thotë se duhet t’u mundësohet të kenë përfaqësim edhe në legjislativ me vende të rezervuara.

“Ajo do të ishte e mirë, duhej të ishte dikush prej gjeneratës së parë, të gjeneratës së dytë, duhet të jenë gra e burra, të rinj dhe të vjetër për të kontribuar”, thotë mërgimtari Osman Osmani.

Që diaspora duhet të ketë përfaqësues në Kuvend e thotë edhe profesori, Avdi Smajljaj.

Por një gjë e tillë, sipas tij, nuk bëhet për një arsye.

“Do të duhej partitë, me ndryshimin e ligjit zgjedhor, do të duhej të ketë një ulëse të caktuar për diasporën, por megjithatë kjo është pjesë e mosinteresimit e partive që e kanë pasur dhe e kanë ndaj diasporës sepse më shumë janë të interesuar që ata të marrin vota për vete sesi t’i drejtojnë këto vota drejt në grupi përfaqësues psh në këtë rast të diasporës, të cilat pastaj si grup parlamentar mund të bashkëpunonin me një parti ose një tjetër, por i duan këto vota direkt në partinë e tyre sepse mund t’i menaxhojnë më lehtë pastaj brenda Kuvendit”, thotë profesori universitar, Avdi Smajljaj.

Votimi nga diaspora është hapur nga 21 maji dhe pritet të përfundojë më 6 qershor, një ditë para ditës së zgjedhjeve. /dukagjini