Djali i dëshmorit Zejnullah Elshani diplomon në SHBA, ushtari i FSK-së nderohet me dy çmime prestigjioze

Djali i dëshmorit Zejnullah Elshani diplomon në SHBA, ushtari i FSK-së nderohet me dy çmime prestigjioze

Aktuale June 04, 2026 - 11:13

Ushtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Arjanit Elshani, i cili është djali i dëshmorit Zejnullah Elshani, ka shënuar një arritje të rëndësishme në karrierën e tij profesionale, duke diplomuar me sukses nga programi MPBOLC 03-26, ku është vlerësuar me dy nga çmimet më të larta të këtij programi, “Honor Graduate” dhe “Iron Man”.

Përmes një postimi të tij në Facebook, Elshani, i cili vjen nga Bainca e Drenasit, e ka cilësuar këtë moment si një ndër më të veçantët në rrugëtimin e tij profesional, duke theksuar përkushtimin dhe disiplinën që e kanë shoqëruar gjatë gjithë trajnimit.

“Diplomimi nga MPBOLC 03-26, moment i veçantë krenarie dhe mirënjohjeje. Jam i nderuar që gjatë rrugëtimit kam fituar çmimet prestigjioze Honor Graduate dhe Iron Man, të cilat pasqyrojnë përkushtimin, disiplinën dhe punën. Mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën që më ka dhënë në çdo hap të këtij rrugëtimi”, shkroi ai.

Në të njëjtin postim, ai ka shprehur mirënjohje edhe për familjen e tij për mbështetjen dhe motivimin e vazhdueshëm, si dhe për institucionin që i ka dhënë besim gjatë gjithë programit.

“Një mirënjohje e thellë shkon për familjen time për motivimin e vazhdueshëm. Gjithashtu, falënderoj institucionin për besimin e jashtëzakonshëm që më ka dhënë për të arritur këtë sukses”, shkroi Elshani.