Islami: Serbia përmes Drecunit vazhdon me propagandë dhe dezinformata

Islami: Serbia përmes Drecunit vazhdon me propagandë dhe dezinformata

Aktuale June 04, 2026 - 19:58

Analisti i sigurisë, Avni Islami ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me deklaratat e politikanit serb Milovan Drecun, i cili ka komentuar vizitën në Kosovë të ministrit shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Ferit Hoxha.

"Milovan Drecun, i njohur si një ndër eksponentët më të zëshëm të ultra-nacionalizmit serb dhe propagandës kundër shqiptarëve dhe Republika e Kosovës, ka reaguar ndaj vizitës së fundit në Kosovë të Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republika e Shqipërisë, Ferit Hoxha. Drecun deklaroi se qëndrimi i ministrit shqiptar, sipas të cilit Kosova përbën prioritet absolut të politikës së jashtme të Shqipërisë, paraqet vazhdimësi të së ashtuquajturës “politikë të Shqipërisë së Madhe” dhe, sipas tij, përbën kërcënim për sigurinë e Serbisë. Ai pretendoi se mbështetja për pavarësinë e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me realizimin e këtij projekti politik, duke shtuar se deklaratat e Hoxhës dëshmojnë se Kosova trajtohet si pjesë integrale e Shqipërisë", tha Islami.

Sipas tij, deklarata të tilla përfaqësojnë vazhdimësi të propagandës dhe dezinformatave që Serbia përdor sistematikisht në kuadër të luftës hibride kundër Republika e Kosovës dhe stabilitetit në rajon.

"Pretendimet se institucionet shqiptare e konsiderojnë Kosovën pjesë të territorit të Shqipërisë janë narrativë politike e fabrikuar, me qëllim të nxitjes së tensioneve, ushqimit të frikës dhe pengimit të proceseve të normalizimit. Në vend se të kontribuojë në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe në uljen e tensioneve në rajon, Serbia vazhdon të prodhojë retorikë nacionaliste dhe destabilizuese, duke instrumentalizuar çdo deklaratë apo zhvillim politik që lidhet me Republika e Kosovës. Një qasje e tillë dëshmon mungesën e vullnetit real për normalizim të marrëdhënieve dhe vazhdimin e politikave që cenojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor", tha ai. /rtk