Haxhiu takon presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar
Foto: ZPRK

Haxhiu takon presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar

Aktuale June 10, 2026 - 19:12

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takim me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme sllovene ndaj rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

“U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Në takim u trajtuan edhe hapat e ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përfshirë nevojën që përparimi në reforma, rreshtimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane të pasohen me lëvizje konkrete në procesin e integrimit.

“U.D. Presidentja Haxhiu falënderoi Slloveninë edhe për kontributin e saj në KFOR, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet tutje në njoftim.

Image