Riorganizohet qarkullimi në “Lakrishte”, rikthehet skema e mëparshme e trafikut në rrugët “Hekurudha” dhe “Vicianum”
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është bërë riorganizimi i qarkullimit të automjeteve në lagjen “Lakrishte”, pas përfundimit të një pjese të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në këtë zonë.
Sipas njoftimit, bazuar në vendimin e kryetarit të Kryeqytetit, qarkullimi në rrugët “Hekurudha” dhe “Vicianum” është rikthyer në gjendjen e mëparshme.
“Rruga ‘Hekurudha’ do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën ‘Magjistralja M-2’, në drejtim të rrugëve ‘Tirana’ dhe ‘Bekim Fehmiu’”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas Komunës, edhe rruga “Vicianum” do të funksionojë me një kah të qarkullimit.
“Rruga ‘Vicianum’ do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën ‘Ahmet Krasniqi’, në drejtim të rrugës ‘Magjistralja M-2’”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndërkaq, rrugët “Bekim Fehmiu” dhe “Tirana” do të vazhdojnë të jenë të hapura për qarkullim në të dy kahjet.
Komuna ka theksuar se këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut dhe rritjes së sigurisë në komunikacion, pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në këtë pjesë të lagjes “Lakrishte”.
“Lusim të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit”, thuhet më tej në njoftimin e Komunës së Prishtinës.