Kurti bën homazhe në Prekaz: Jasharët, themel i historisë moderne të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Pas homazheve, Kurti ka vlerësuar se Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri, duke theksuar se epopeja e familjes Jashari përbën themelin e historisë moderne të Kosovës dhe idealit për shtetësi.
“Sot më 12 qershor, vijmë këtu si krerë të institucioneve në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes bashkëkohore të popullit shqiptar… Meqenëse më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, tri brezat e Jasharëve qëndruan, luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e popullit tonë…”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se beteja e familjes Jashari dhe sakrifica e tyre janë pjesë qendrore e historisë së Kosovës dhe e identitetit kombëtar shqiptar, duke theksuar se kujtimi i tyre mbetet i lidhur me idealet për liri, pavarësi dhe zhvillim.