Protesta dhe mitingu i PS-së në të njëjtën kohë në Tiranë, Policia publikon planin e masave
Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave që ka marrë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në dy aktivitete që zhvillohen gjatë të premtes pasdite në Tiranë, konkretisht tubimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe festa e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në sheshin “Italia”.
“Në këtë kuadër, Policia e Tiranës njofton se nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve dhe tubimit do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore.
Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët:
- “Papa Gjon Pali II”;
- “Dervish Hima”;
- “Faik Konica”;
- “Lek Dukagjini”;
- “Gjergj Filipi”;
- “Hasim Zeneli”;
- “Themistokli Gërmenji”;
- “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”.
Gjithashtu, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Policia e Tiranës apelon për mirëkuptimin e qytetarëve dhe këshillon përdorimin e akseve alternative të lëvizjes, si dhe respektimin e udhëzimeve të shërbimeve të Policisë në terren”, tha Policia.