Pagat, pensionet dhe çmimet – prioritetet që qytetarët kërkojnë nga qeveria
Foto: Laura Hasani

Pagat, pensionet dhe çmimet – prioritetet që qytetarët kërkojnë nga qeveria

Aktuale June 13, 2026 - 21:40

Ka kaluar një javë që nga mbajtja e zgjedhjeve.

Me numërimin aktual të votave, Vetëvendosje deri tani ka 50 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lidhja Demokratike e Kosovës 19 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 8.

Pritshmëri të larta nga Qeveria e re, kanë plot qytetarë.

Në mesin e tyre është edhe Ramë Uka, i cili kërkon më shumë mbështetje për pensionistët.

“Shpresoj për ne pensionerët na e hypin pak pensionin, edhe ktyne që janë me rroga të vogla ishalla jau rrisin, se janë bo çmimet e hatashme me jau rrit rrogat qetyne të vjetërve e qeshtu”, Uka.

E një tjetër thotë se pret më shumë punë në ekonomi, arsim e shëndetësi.

“Për mandatin e ardhshëm presim shumë si në aspektin ekonomik, arsimor, shëndetësi, edhe është koha që më në fund duhet të punohet shumë”, tha qytetari Bajram Ndremaj.

Këto nuk ishin kërkesat e vetme që qytetarët ndanë me televizionin.

Të tjerë kërkuan edhe bashkëpunimin politik.

“Partitë aktuale duhet të mirren vesh për me i themelu institucionet edhe me vazhdu me i shërby qytetarëve për çka edhe e kanë marrë votën, me largu urrejtjen se e kanë obligim për qytetarët“, tha qytetari tjetër, Riza Krasniqi.

Se prioritet për qytetarët duhet të jetë mbështetja ekonomike e thonë edhe vetë ekonomistët.

“Cilido kryeministër dhe qeveri që do ta marrë mandatin ta qeverisë vendin, duhet të jetë shumë e kujdesshme, sidomos me paketat e ashtuquajtura ndihma sociale për banorët e Kosovës. Për shkak se në një vend ku përqindja e investimeve kapitale është shumë e vogël, rritja e çmimeve e produkteve esenciale është jashtëzakonisht e madhe, ngritja e pagave dhe ndihmave sociale do të ishte në harmoni me indeksimin e ngritjes së çmimeve në Kosovë. Jo të kemi, si thonë, ngritje artificiale për shkak se do ta destabilizojmë buxhetin e Kosovës”, deklaroi ekonomisti, Ismet Mulaj.

Ndër të tjera, vlerësohet se nuk duhet të mungojë as hapësira për investimet e huaja.

“Prioriteti i qeverisë së ardhshme do të duhej të ishte, e para, krijimi i një ambienti miqësor për investimet edhe të huaja, edhe vendore. Pra, me reforma strukturore ekonomike, ku si çdo qytetar, si çdo ai që ka dëshirë, domethënë si qytetar i Kosovës apo qytetar me shtetësi të huaj, do të gjente një ambient miqësor për të investuar në Kosovë”, tha ai.

Investimet në ekonomi kanë qenë ndër premtimet kryesore të partive politike gjatë fushatës.