Osmani: Kosova nuk lejon përqendrimin e pushtetit në duart e një subjekti apo individi
Bartësja e listës së LDK-së dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë në një intervistë për televizionin turk TRT.
Duke komentuar proceset demokratike në vend, Osmani ka theksuar se Kosova ka ndërtuar institucione demokratike që nuk lejojnë përqendrimin e pushtetit te një person apo një forcë e vetme politike.
Sipas saj, qytetarët dhe sistemi demokratik i vendit nuk mbështesin modele qeverisëse ku një individ ose subjekt politik synon të kontrollojë të gjitha mekanizmat institucionalë.
Osmani ka sqaruar se deklaratat e saj nuk i janë referuar ndonjë partie apo politikani të caktuar, por janë bërë në kontekst të parimeve të përgjithshme demokratike që duhet të vlejnë për çdo akter politik.
Ajo ka shtuar se funksionimi i demokracisë kërkon balancë institucionale, respektim të ndarjes së pushteteve dhe bashkëpunim ndërmjet forcave politike në interes të qytetarëve.