Aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të “Pastrimit” dhe një koordinatori, dyshohen për keqpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, pas zhvillimit të hetimeve dhe analizimit të provave, është konstatuar dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Burim Kelmendi, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, gjatë viteve 2020 dhe 2021 ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit, transmeton Zeri.info.
Sipas aktakuzës, ai ka nënshkruar gjithsej 89 kontrata pune, prej tyre 37 kontrata me afat të caktuar për kryerjen e punëve dhe detyrave specifike, ndërsa personat e angazhuar kanë ushtruar pozita të rregullta pune.
Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer në kundërshtim me Ligjin e Punës, pasi nuk është shpallur konkurs publik dhe kontratat janë vazhduar në mënyrë të parregullt. Gjithashtu, Kelmendi akuzohet se ka nxjerrë aktvendime për avancimin e punonjësve pa respektuar procedurat përkatëse.
“Me këto veprime, sipas aktakuzës, i është shkaktuar dëm buxhetit të ndërmarrjes në vlerë prej 114 mijë e 535 eurove e 6 centësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, i pandehuri N.Rr., në cilësinë e koordinatorit në KRM “Pastrimi”, akuzohet se gjatë muajit mars të vitit 2021 ka kërkuar dhe pranuar 1 mijë e 500 euro nga disa persona, duke u premtuar atyre se do të ushtronte ndikim të kundërligjshëm te kryeshefi ekzekutiv i kompanisë për t’i punësuar.
Sipas aktakuzës, N.Rr. ka vepruar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ndërsa përfitimet lidhen me punësimin e disa personave në ndërmarrje.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Zëri