Haxhiu: Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për personat e zhdukur, arkivat duhet të hapen
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për personat e zhdukur, arkivat duhet të hapen

Aktuale June 25, 2026 - 11:53

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Serbia është përgjegjëse e drejtpërdrejtë për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këto komente Haxhiu i bëri në organizimin e ngjarjes përmbyllëse të projektit “Shpalosja e së vërtetës: Luftimi i gazetarisë monoetnike dhe avokimi për personat e zhdukur në Kosovë”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

 

Haxhiu deklaroi se Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat e saj, duke shtuar se hapja e tyre nuk mund të mbetet çështje e vullnetit të Beogradit.

“Për familjet e personave të zhdukur me dhunë kjo është kërkesa e vetme: ta dinë ku janë më të dashurit e tyre. Përgjigje nuk ka ngase Serbia ende i mban të mbyllura arkivat e saj ushtarake, policore dhe shtetërore, ndaj në këtë proces Serbia mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Në ato arkiva mund të gjenden të dhëna për urdhra për varrime, zhvarrime dhe vendndodhje që familjet i presin prej më shumë se një çerek shekulli. Varrezat masive të zbuluara në territorin e Serbisë e kanë bërë të qartë se fshehja e gjurmëve ka qenë e qëllimshme. Hapja e arkivave nuk mund të mbetet çështje e vullnetit të Beogradit. Partnerët ndërkombëtarë duhet ta trajtojnë këtë si detyrim të qartë të Serbisë ndaj familjeve, ndaj Republikës së Kosovës, ndaj historisë sonë dhe ndaj së vërtetës. Rreth 1600 persona ende janë në listat e të pagjeturve dhe shpeshherë përmenden si numra dhe si statistika. Por, dokumentarët e tillë shkojnë përtej statistikave duke na dhënë emrat, duke na dhënë fytyrat dhe rrëfimet për ta përmes zërave që kanë pritur shumë gjatë. Nga Drenasi në Mitrovicë, nga Peja në Prizren, nga Gjilani në Ferizaj, nga Gjakova në Prishtinë, këto rrëfime na kujtojnë se mungesa mund të mos jetë e njëjtë në çdo shtëpi, por pritja dhe kërkesa është e njëjtë. Kërkesa për të ditur nuk mund të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve. Ajo kërkon punë të përditshme institucionale, kërkon hetim, dokumentim, punë mjekoligjore, bashkëpunim me familje dhe ndjekje të çdo informacioni që mund të çojë te e vërtetë”, u shpreh ajo.

Image

 

Haxhiu tha se misionet e instaluara në Kosovë pas luftës nuk kanë bërë sa duhet për adresimin e krimeve që Serbia ka bërë gjatë luftës.

 

“Misionet që janë instaluar në Republikën e Kosovës pas përfundimit të luftës nuk kanë bërë sa duhet, madje nuk kanë bërë fare për t’i adresuar krimet që Serbia i ka bërë gjatë periudhës së luftës. Dhe viteve të fundit, edhe për shkak të shtimit të kapaciteteve në polici, në prokurori, për shkak të ndryshimeve ligjore për mundësinë e gjykimit në mungesë sepse ju e dini që Serbia nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës për dorëzimin e kriminelëve të luftës, madje as ata që kanë kryer krime terroriste në kohë të paqes, ne jemi të detyruar që të mundësojmë gjykimin në mungesë”, tha ajo.

Ndërsa Eva Palatova, zëvendësshefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, deklaroi se BE-së i intereson e kaluara, drejtësia tranzicionale dhe pajtimi, duke theksuar se ruajtja e kujtesës siguron që vuajtja të mos harrohet apo tjetërsohet dhe që brezat e ardhshëm ta kuptojnë koston njerëzore të konfliktit.

 

“Neve si Bashkim Evropian na intereson e kaluara, drejtësia tranzicionale dhe pajtimi. Ruajtja e kujtesës ndihmon në sigurimin që vuajtja as të mos harrohet e as të mos tjetërsohet, dhe që gjeneratat e ardhshme të kuptojnë koston njerëzore të konfliktit. Në këtë përpjekje, mediat e pavarura dhe gazetarët luajnë një rol jetik. Duke dokumentuar faktet, duke u dhënë zë viktimave dhe familjeve të tyre pa marrë parasysh etninë e tyre, si dhe duke sfiduar mohimin dhe dezinformimin, mediat ndihmojnë në mbrojtjen e së vërtetës dhe fuqizimin e shoqërive demokratike”, ka thënë ajo.

Image

“Bashkimi Evropian ka kohë që mbështet drejtësinë tranzicionale dhe pajtimin në mbarë Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe në Kosovë. Qasja jonë udhëhiqet nga parimi se këto procese duhet të jenë në pronësi vendore, përfshirëse dhe të rrënjosura në të drejtën ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile, grupet e viktimave, gazetarët, gratë dhe të rinjtë kanë të gjithë një rol thelbësor për të luajtur. Puna e tyre ruan kujtesën, promovon dialogun dhe ndihmon në ndërtimin e besimit aty ku besimi është thyer. Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i mbështesë këto përpjekje. Në të njëjtën kohë, institucionet kanë përgjegjësinë e tyre. Shoqëria civile nuk mund ta mbajë e vetme këtë barrë. Progresi i qëndrueshëm kërkon një përkushtim më të fortë institucional për të bashkëpunuar me ta”, tha ajo.

Palatova u shpreh se drejtësia për viktimat dhe llogaridhënia e autorëve të krimeve janë thelbësore.

 

“Adresimi i trashëgimisë së të kaluarës nuk ka të bëjë thjesht me shikimin prapa. Ka të bëjë me krijimin e kushteve për një të ardhme më paqësore, përfshirëse dhe demokratike. Drejtësia për viktimat, llogaridhënia për autorët e krimeve dhe përgjigjet për familjet e të zhdukurve nuk janë opsionale. Ato janë themele thelbësore për një pajtim afatgjatë. Kjo është gjithashtu arsyeja pse drejtësia tranzicionale mbetet një element i rëndësishëm i rrugëtimit evropian të Kosovës dhe i të ardhmes më të gjerë evropiane të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Vlerësimi im i sinqertë shkon për të gjithë ata që vazhdojnë këtë punë me përkushtim dhe guxim: familjet e personave të zhdukur, organizatat që i mbështesin ata, gazetarët që dokumentojnë të vërtetat e vështira dhe aktivistët që e mbajnë gjallë kujtesën, si dhe prokuroria, policia dhe gjyqësori që vazhdojnë të punojnë për të vënë drejtësi. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për t’ju mbështetur juve dhe rajonin në ndërtimin e shoqërive të bazuara në drejtësi, dinjitet dhe respektim të të drejtave të njeriut. Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në këto përpjekje”, tha ajo.

Kurse Jeta Xharra, drejtore e BIRN Kosova, tha se synimi i këtij projekti ka qenë shënimi dhe grumbullimi i dhimbjeve të familjarëve si dhe rijetësimi i personave të zhdukur.

“Synimi ka qenë me i shënuar dhe grumbulluar dhimbjet e familjarëve të të zhdukurve, po në njëfarë mënyre edhe me e rijetësuar personin që është zhdukur. Çfarë personi ka qenë? Çfarë njeriu ka qenë? Çfarë domethënie ka pasur ai person për familjen e vet? Jo vetëm mënyra qysh është zhdukur. Mbasi që kemi folur me ekipin tonë, ju ka dashur thirrje të shumta, me shumë refuzime. Në fund po flasim vetëm për njerëz që kanë folur, po ka shumë njerëz që kanë refuzuar mbas 27 viteve, se janë lodhur duke treguar rrëfimin për shumë institucione të ndryshme prej mbas luftës, UNMIK, EULEX, prokurori, dhe në fund mbasi s’kanë parë shpresë, kanë thënë: “as te ju s’po duam me folur”. Domethënë nja 500 njerëz i kemi thirrë, prej të cilëve 80 kanë pranuar me folur. Kjo është një përkushtim i ekipit tonë që nuk e ka pranuar veç refuzimin menjëherë, po ka insistuar me i marrë ata që ende janë, janë të interesuar me e thënë rrëfimin për të zhdukurin”, u shpreh Xharra.

Image

Gjatë zbatimit të këtij projekti, BIRN dhe ACDC kanë realizuar tetë dokumentarë në rajonet e Drenasit, Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Gjakovës dhe Prishtinës, duke sjellë rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur dhe duke promovuar dialogun publik e institucional për adresimin e kësaj çështjeje.