Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë dy marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në bujqësi
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi që synojnë forcimin e koordinimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, vizita u realizua me ftesë të ministrit shqiptar dhe kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Marrëveshjet synojnë forcimin e koordinimit institucional, avancimin e politikave të përbashkëta në sektorin agro-ushqimor, si dhe rritjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim bëhet e ditur se marrëveshjet përfshijnë edhe zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve përmes politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
“Marrëveshjet gjithashtu parashikojnë zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural, mbështetjen e fermerëve përmes instrumenteve të politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian”, thuhet më tej.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit do të fokusohet edhe në modernizimin e sektorit bujqësor përmes digjitalizimit dhe inovacionit.
“Një fokus i rëndësishëm i bashkëpunimit mbetet edhe modernizimi i sektorit përmes digjitalizimit të shërbimeve bujqësore, si dhe forcimi i kapaciteteve në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe transferimit të teknologjive bashkëkohore, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe konkurrueshmërisë së sektorit”, thuhet në komunikatë.
Ministria vlerëson se këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, rritjen e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të dy vendet tona”, përfundon komunikata.