AGK: Arlinda Sejda jep dorëheqje nga RTK-ja, fajëson presionin politik ndaj gazetarëve
Foto: Facebook

AGK: Arlinda Sejda jep dorëheqje nga RTK-ja, fajëson presionin politik ndaj gazetarëve

Aktuale June 30, 2026 - 16:28

Gazetarja Arlinda Sejda ka dhënë dorëheqje nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), pas 10 vitesh punë në transmetuesin publik.

Sejda përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë për të mbrojtur parimet bazë të profesionit të gazetarit, raporton Zeri.info.

"Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut", ka shkruar ajo.

Lidhur me dorëheqjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka shprehur keqardhje për largimin e Sejdës, duke e cilësuar atë si pasojë të, sipas tyre, presionit politik dhe politikave menaxhuese në RTK.

Sipas AGK-së, largimi i Sejdës dhe ndërprerja e emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve janë rezultat i politikave që, sipas këtij asociacioni, ndëshkojnë gazetarët që përpiqen t'u përmbahen standardeve profesionale dhe etike.

AGK-ja pretendon se RTK-ja është vënë nën ndikim politik dhe se kjo ka ndikuar në lirinë editoriale dhe raportimin në interes të publikut.

Në fund të reagimit, AGK-ja ka shprehur solidaritet me Arlinda Sejdën dhe gazetarët e tjerë të RTK-së, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalin, sipas saj, presionin politik dhe financiar ndaj transmetuesit publik.

Po ashtu, AGK-ja i ka kërkuar Bordit të RTK-së të kërkojë llogari nga menaxhmenti dhe të garantojë mbrojtjen e gazetarëve dhe pavarësinë editoriale.

Postimi i plotë:

Presioni i vazhdueshëm politik në RTK, Arlinda Sejda jep dorëheqje nga puna si gazetare

Gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar dorëheqjen nga puna në Transmetuesin Publik, RTK, ku ka punuar për 10 vjet. “Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit. Ai vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut”, ka shkruar Sejda.

AGK-ja shpreh keqardhje për largimin e Sejdës nga RTK dhe e sheh këtë akt si konfirmim të kapjes së këtij institucioni nga menaxhmenti i lidhur drejtpërdrejt me Qeverinë dhe partinë politike në pushtet, Vetëvendosje.

Largimi i Sejdës dhe largimi i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve ndodhin si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë dhe përndjekin këdo që synon t’i respektojë parimet themelore të etikës së profesionit.

RTK-ja është shndërruar tash e një kohë në makinë propaganduese të Vetëvendosjes nëpërmjet politikave redaktuese që censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit.

Rënia e lirisë së medias në Kosovë, siç dokumentohet edhe në raporte ndërkombëtare, lidhet edhe me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga Qeveria e zotit Kurti.

AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Sejda dhe me të gjithë gazetarët e redaktorët e Transmetuesit Publik që vazhdojnë rezistencën brenda RTK-së.

AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës dhe Vetëvendosjen që ta ndalin presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së.

AGK-ja gjithashtu e fton Bordin e RTK-së që të mos qëndrojë indiferent dhe të kërkojë llogari nga Menaxhmenti, duke u përkujdesur që të mos ketë përndjekje ndaj gazetarëve dhe që raportimi të kthehet në shërbim të interesit publik, e jo të një partie politike. /Zëri