MD-ja dhe institucionet e drejtësisë diskutojnë me Komisionin Evropian për reformat në sundimin e ligjit

MD-ja dhe institucionet e drejtësisë diskutojnë me Komisionin Evropian për reformat në sundimin e ligjit

Aktuale June 30, 2026 - 19:22

Në Ministrinë e Drejtësisë është zhvilluar një takim ndërmjet zëvendësministrit të Drejtësisë, Genc Nimoni, përfaqësuesve të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë dhe drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Valentina Superti, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Gjatë takimit, zëvendësministri Nimoni prezantoi progresin e arritur në fushën e drejtësisë dhe punën e Ministrisë së Drejtësisë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda e reformave.

“Nimoni theksoi finalizimin e pakos prej pesë ligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, por gjithashtu edhe finalizimin e hapave të tjerë në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë funksionalizimin e Zyrës së Koordinatorit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Përfaqësuesit e institucioneve të tjera të drejtësisë në Kosovë rikonfirmuan përkushtimin për zbatimin e agjendës së reformave, duke theksuar se procesi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

“Ata vlerësuan rëndësinë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit si mekanizëm për bashkërendimin institucional dhe shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian”, thuhet më tej.

Ndërkaq, Valentina Superti theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe përmbushjes së obligimeve që dalin nga agjenda e reformave.

“Ajo gjithashtu rikonfirmoi përkushtimin e tyre për bashkëpunim me institucionet e Kosovës në realizimin e obligimeve që dalin nga kjo agjendë”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Në takim morën pjesë edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, Genc Rraci, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Liridon Nika, si dhe udhëheqësja e Sektorit në APK, Lindita Ademi.