Investimet në energji, mbrojtje dhe bizneset amerikane – krejt çfarë tha Prattipati në 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së
Foto: Facebook

Investimet në energji, mbrojtje dhe bizneset amerikane – krejt çfarë tha Prattipati në 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

Aktuale July 01, 2026 - 07:59

Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka mbajtur një fjalim mbrëmë, në ngjarjen e organizuar për 250-vjetorin e shtetësisë amerikane, ku është deklaruar për çështje si ajo e energjisë e të investimeve.

Prattipati, ka theksuar se, përderisa Kosova vazhdon të zhvillohet, mundësitë “janë të pakufishme” për bashkëpunim si në fushën e mbrojtjes e të energjisë.

“Teksa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të thellojë integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim, veçmas në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji, janë të pakufishme. Bizneset amerikane po kërkojnë partnerë të besueshëm, fuqi punëtore dhe tregje konkurruese. Kosova ka mundësi që të jetë të tri këto gjëra”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka deklaruar edhe se, Kosova ka qëndruar gjithmonë me SHBA-në, dhe se, edhe këto të fundit qëndrojnë pranë Kosovës.

“Kosova gjithmonë ka qëndruar me Shtetet e Bashkuara, duke mbështetur prioritetet tona, duke kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, Bordin e Paqes, Po ashtu edhe SHBA-ja qëndron pranë Kosovës. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta, qëndrojmë me Kosovën në ndërtimin e një ekonomie prosperuese që tërheq investitorë dhe ofron mundësi për të gjithë qytetarët”, ka shtuar Prattipati.

E ngarkuara me punë e SHBA-së, iu është drejtuar edhe të rinjve të vendit, duke i cilësuar ata si ‘’arkitektët e së nesërmes’’.

‘’Dua gjithashtu t’u flas drejtpërdrejt të rinjve të Kosovës. Ju jeni arkitektët e së nesërmes. E ardhmja do t’u përkasë atyre që mund të përshtaten, të sjellin risi dhe të udhëheqin në një botë që ndryshon me shpejtësi. Burimi më i madh i Kosovës është talenti, energjia dhe ambicia e të rinjve të saj’’, ka shtuar ajo.

Prattipati ka thënë edhe se, një Kosovë e qëndrueshme dhe e ‘’begatë’’ është e mirë edhe për Evropën e botën, e jo vetëm për vete.

‘’Sepse një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë nuk është vetëm e mirë për popullin e Kosovës, është e mirë për Evropën dhe e mirë për botën’’, ka thënë ajo.