Kurti: Kosova përherë mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme

Kurti: Kosova përherë mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme

Aktuale July 01, 2026 - 09:57

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e organizuar në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku ka theksuar rëndësinë e rolit të SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Kurti kujtoi vlerat themelore të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së – jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë – duke i cilësuar ato si të drejta të patjetërsueshme që kanë frymëzuar botën demokratike.

Ai tha se populli i Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta, ndërsa theksoi se përvoja e Kosovës është e veçantë, pasi realizimi i tyre lidhet ngushtë me mbështetjen amerikane.

“Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane”, shkroi Kurti.

Kryeministri në detyrë shtoi se Kosova mbetet përherë falënderuese dhe mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën që e ka cilësuar si të pazëvendësueshme. /Zëri