Dita e 35-të e protestës në Tiranë, para kryeministrisë edhe qytetarë nga diaspora
Në Tiranë pasditen e së shtunës, në orën 19:00, nisi protesta e 35-të ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë.
Me flamujt kombëtarë e ato të SHBA-së, protestuesit marshuan nga sheshi “Skëndërbej” drejt godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre.
Protesta e sotme është mbarëkombëtare ku është thirrur për të marë pjesë edhe diaspora.
Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe klasës aktuale politike. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht.
Duke marrë fjalën njëri prej organizatorëve Dritan Goxhaj, tha se “sot në ditën e pavarësisë së SHBA, i urojmë popullit amerikan 250 vjetorin e pavarësisë’.
“SHBA aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e çmuar e popullit shqiptar. Kujtojmë një dokument më me ndikim, deklaratën e Pavarësisë që ishte shpallja e një parimi që frymëzon popujt anembanë botës se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe gëzojnë të drejta të patjetërsueshme. Kur të drejtat e njerëzve nuk mbrohen shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshime me mjete paqësore”, tha ai.
Ndërsa “Lironi protestuesit”, “Ju erdhi fundi”, ishin disa nga mesazhet që organizatorët kanë përcjellë në thirrjen e tyre për pjesëmarrje në protestë.