Konjufca pret raportuesin Terras, kërkon avancimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rrugën integruese të Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në takim u diskutua për zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare, formimin e institucioneve të reja, si dhe procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Konjufca vlerësoi rolin e Parlamentit Evropian në mbështetjen e aspiratave evropiane të Kosovës, ndërsa e falënderoi eurodeputetin Riho Terras për angazhimin e tij në raport me zhvillimet në vend.
Gjatë takimit, ai theksoi rëndësinë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të marrë vëmendjen e merituar, me qëllim avancimin drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
Ministria thekson se Kosova mbetet e përkushtuar për të çuar përpara rrugën e saj evropiane, duke thelluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian dhe duke përmbushur reformat e nevojshme në funksion të integrimit të plotë në BE. /Zëri