Abdixhiku takohet me Terrasin, diskutojnë për konstituimin e institucioneve
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim Raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Sipas LDK-së, në takim është diskutuar për situatën politike në vend pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, si dhe për domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
LDK-ja ka njoftuar se Abdixhiku ka theksuar se respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor, duke shtuar se pas certifikimit të rezultateve duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale.
Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku ka vlerësuar raportin e Raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale në rrugën evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit, sipas LDK-së, Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë ofruar Kosovës ndër vite.