IHMK-ja bëhet pjesë e Rrjetit Evropian të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me EUMETNET, Rrjetin Evropian të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të IHMK-së në komunitetin profesional evropian, duke krijuar mundësi të reja për modernizimin e shërbimeve meteorologjike dhe klimatike në Kosovë.
Në kuadër të bashkëpunimit, IHMK-ja do të marrë pjesë në programet OPERA, E-WFC (C-SRNWP dhe E-Nowcasting), Climate, EUMETCAL dhe Capacity Capability Area Management. Përmes këtyre programeve, instituti do të përfitojë nga shkëmbimi i të dhënave, ekspertizës, trajnimeve profesionale dhe praktikave më të mira evropiane.
Sipas IHMK-së, bashkëpunimi pritet të kontribuojë në përmirësimin e parashikimeve meteorologjike, zhvillimin e shërbimeve klimatike, forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, ngritjen e kapaciteteve profesionale të institutit, si dhe harmonizimin e shërbimeve me standardet evropiane.
IHMK-ja vlerëson se ky është një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e rolit të institucionit dhe për ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.