Rama: Google po ndihmon në rikthimin e vlerësimeve të bizneseve të prekura nga manipulimet online
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se autoritetet shqiptare kanë kërkuar bashkëpunimin e Google për të adresuar rastet e manipulimit të vlerësimeve online ndaj disa sipërmarrjeve në sektorin e turizmit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se përmes mijëra llogarive të hapura posaçërisht është tentuar të dëmtohet reputacioni digjital i hoteleve, bujtinave dhe restoranteve, duke ndikuar në vlerësimet e tyre në platformat online.
“Jehona e një turpi alla shqiptarçe arriti deri në majën e piramidës së Google, ku autoritetet tona kërkuan ndihmë për të nxjerrë një sërë sipërmarrjesh nga bloza e territorit digjital të ushtruar prej pengmarrësve të protestës së flamingove, të cilët përmes 10 mijë llogarive të hapura enkas organizuan dhe orkestruan një sulm të padëgjuar kriminal mbi hotele, bujtina, restorante, duke u hequr me dhunë yjet e mbledhura nga përshtypjet pozitive të klientëve”, shkroi Rama.
Duke iu referuar zhvillimeve, Rama kritikoi autorët e kësaj fushate, duke u shprehur se ajo synonte dëmtimin e bizneseve vendase dhe klimës së investimeve.
“Pra, logjika e hurit dhe drurit që i ka dhënë protestës ngjyrën e sorrave e zërin e korbave: Nuk duam investorë të huaj, nuk duam biznese vendase, duam litar, burg, zjarr – tip naziskinësh me qeleshe e komunistash me flamur në qafë, laro e balo të duartrokitur me pasion nga dështakëzemërakë të rënë nga vakti, plot urrejtje, ligësi e mediokritet të pangushëllueshëm”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, Policia po vijon hetimet për zbardhjen e skemës dhe identifikimin e përgjegjësve, ndërsa bashkëpunimi me Google ka mundësuar rikthimin e vlerësimeve bizneseve të prekura.
“Policia vijon me hetimin e skemës kriminale, ndërkohë që me ndihmën e Google-it faqet e sipërmarrjeve po u rikthehen yjet e merituara me punë e mund të madh”, u shpreh Rama./atsh