Qytetarët në protestën e 41-të, ripërsërisin pesë kërkesat kryesore

Qytetarët në protestën e 41-të, ripërsërisin pesë kërkesat kryesore

Aktuale July 10, 2026 - 22:30

Qytetarë zhvilluan sot protestën e 41-të në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec dhe duke parashtruar kërkesa të tjera nga nismëtarët.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga pjesëmarrës të ndryshëm.

Një i moshuar në protestën e sotme gjithashtu ka qenë kritik ndaj Presidentit të Republikës, duke thënë se është president vetëm në letra.

Ndërsa një qytetar në fjalën e tij deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk shqetësohet për bujqit, fermerët apo personat me aftësi të kufizuara të cilët nuk sigurojnë dot jetesën.

Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Gjatë protestës u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshimin e klasës politike. Ndërsa pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në vend.

Duke marrë fjalën një protestues i ardhur nga diaspora deklaroi se qytetarët shqiptarë mbajnë barrën e përplasjeve mes forcave politike. “Populli i heq mbi kurriz të gjitha. Si mbetet gjë tjetër veçse të qëndrojë në mes e të paguajë haraçet e politikanëve tanë. Njësoj vuan dhe kur quhet diktaturë e kur quhet demokraci”, u shpreh ai.

Gjatë protestës u bë thirrje edhe për pjesëmarrje në tubimin e radhës kombëtar, ndërsa disa protestues komentuan zhvillimin e koncertit të artistit Kanye West në Tiranë, duke kërkuar bojkotimin e tij.

“Shqiptarët janë këtu në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre, për të kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe nuk ka më cirk me bileta falas”, u shpreh një protestues.

Pas përfundimit të fjalimeve nga foltorja përpara godinës së qeverisë, protestuesit e mbledhur marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Protesta e sotme ishte pjesë e një serie tubimesh të zhvilluara për 41 ditë me radhë në kryeqytet./atsh