31-vjet nga Srebrenica
Sot shënohet 31-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995, forcat serbe vranë 8 mijë e 372 burra dhe djem boshnjakë. Në Qendrën Memoriale në Potoçari edhe pas më shumë se tri dekadave vazhdojnë të varrosen mbetjet mortore të viktimave të gjenocidit.
Në këtë përvjetor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ripërsëriti se në Srebrenicë është kryer gjenocid dhe se kjo është e vërteta historike, juridike dhe njerëzore. Mohimi I krimit në Srebrenicë, sipas Kurtit bie ndesh me faktet e vërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare.
Në heshtjen e Potoçarit, çdo gur varri mban një emër, një histori dhe një jetë të ndërprerë dhunshëm. Lulet e bardha vendosen njëra pas tjetrës, ndërsa mijëra njerëz rikthehen në këtë vend jo vetëm për të kujtuar, por edhe për të dëshmuar se koha nuk e zbeh dhimbjen e boshnjakëve.
Kanë kaluar 31 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 mbi tetë mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, në atë që konsiderohet krimi më i rëndë në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Edhe këtë vit, në Qendrën Memoriale të Potoçarit u përcollën për në banesën e fundit viktima të identifikuara pas dekadash kërkimesh. Për familjet, çdo identifikim sjell fundin e një pritjeje të gjatë, por jo edhe fundin e dhimbjes.
Në mesin e mijëra varreve të bardha, emrat vazhdojnë të kujtojnë përmasat e tragjedisë. Ceremonia mblodhi të mbijetuar, familjarë të viktimave dhe përfaqësues nga vende të ndryshme, të cilët përsëritën thirrjen që e vërteta të ruhet dhe mohimi i gjenocidit të mos ketë vend.
Gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar masakrën e Srebrenicës si gjenocid dhe kanë dënuar një numër drejtuesish ushtarakë e politikë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Përtej ceremonive, Srebrenica mbetet një kujtesë se paqja nuk ndërtohet mbi harresë.
Çdo 11 korrik rikthen emrat, historitë dhe përgjegjësinë që kjo tragjedi të mos përsëritet kurrë. Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e së vërtetës historike dhe kundërshtimin e revizionizmit.
Krimi u krye në një zonë që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara, ku mbi 8 mijë boshnjakë kishin kërkuar mbrojtje nën praninë e paqeruajtësve ndërkombëtarë, mbrojtje që nuk arriti t'i shpëtonte nga masakra e forcave jugosllave./RTK