Protesta e 42-të për Zvërnecin para Kryeministrisë në Tiranë
Në Tiranë ka vijuar për të 42-ën ditë radhazi protesta e qytetarëve e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe më pas vijoi më kërkesën për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Si çdo pasdite, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas mbajtën fjalime para Kryeministrisë.
Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, gjatë fjalës së mbajtur në shkallën e vendosur para Kryeministrisë, deklaroi se mobilizimi qytetar i javëve të fundit ka dëshmuar një ndërgjegjësim të gjerë shoqëror dhe një angazhim të shtuar në të gjithë vendin dhe në diasporë.
Sipas saj, për 36 vite shqiptarët janë përballur me padrejtësi, mungesë mundësish dhe stigmatizim, ndërsa theksoi se ajo që, sipas saj, kishte ndodhur për dekada, u përmbys nga reagimi qytetar brenda 42 ditëve.
“Në 42 ditë shoqëria shqiptare doli në rrugë më shumë se kurrë. Të gjithë së bashku në solidaritet. Në 42 ditë shoqëria shqiptare tregoi se jo çdo popull meriton qeverinë që ka. Shoqëria shqiptare nuk e meriton Edi Ramën kryeministër”, u shpreh Vatnikaj.
Aktivistja shtoi se protestat kanë treguar se qytetarët jo vetëm dinë të reagojnë, por edhe të artikulojnë kërkesa politike dhe të ndërtojnë, sipas saj, një alternativë për një Shqipëri pa korrupsion në drejtimin e shtetit.
“Në 42 ditë kemi treguar se jo vetëm jemi qyetarët, por se dimë të artikulohemi politikisht, se dimë të ndërtojmë një Shqipëri të re pa hajdutë në krye të shtetit. Kjo revoltë që shpesh ngatërrohet se po ndodh vetëm në Tiranë, po ndodh nëtë gjithë Shqipërinë. E keni parë si është organizuar Vlora, Durrësi, Korçë, Lezha të gjitha qytetet. E keni parë si në 42 ditë janë organizuar shqiptarët në çdo cep të Europës, Amerikës ku jetojnë. Ja pra jemi sot me të njëjtën thirrje si ditën e pare”, tha ajo.