Sveçla kërkon masa më të ashpra ndaj Serbisë pas deklaratave të Paunoviqit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërmarrë masa më të ashpra ndaj Serbisë, përfshirë izolimin diplomatik të saj, derisa autoritetet serbe të veprojnë ndaj ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj për Kosovën.
Në një intervistë, Sveçla tha se reagimi i deritanishëm i Bashkimit Evropian ka qenë i pamjaftueshëm, duke theksuar se deklaratat e zyrtares serbe bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa.
“Sa i takon bashkësisë ndërkombëtare, unë ende mendoj se reagimi ka qenë i butë. Do të duhej izolim i qeverisë së Serbisë derisa ajo të ndërmarrë masa ndaj pjesëtarëve të saj për gjuhën dhe sjelljen e tyre në raport me popullin shqiptar dhe me standardet evropiane”, tha Sveçla.
Ai shtoi se një reagim verbal nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është i mjaftueshëm.
“Deklaratat e tyre shkelin edhe vlerat më bazike të Perëndimit, aty ku aspirojmë të integrohemi, në BE dhe NATO. Një deklaratë e tipit ‘kjo gjuhë nuk është e pranueshme për Evropën’ nuk mjafton. Minimumi që pritet nga Vuçiqi është shkarkimi i zv.kryeministres dhe ministres, si dhe nisja e procedurave për ndjekje penale”, u shpreh ai.
Reagimi i Sveçlës vjen pasi ministrja serbe Snezhana Paunoviq ditë më parë deklaroi se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë, deklaratë që ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe kritika ndaj autoriteteve serbe nga faktori ndërkombëtar. /ac2nn