Deputeti i LDK-së mbështet aksionin në Ujman: Ligj dhe shtet për çdo qytetar
Foto: Laura Hasani

Deputeti i LDK-së mbështet aksionin në Ujman: Ligj dhe shtet për çdo qytetar

Aktuale July 23, 2026 - 14:28

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka shprehur mbështetje të plotë për aksionin e Qeverisë së Kosovës për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe atyre të ngritura në prona shtetërore në zonën e Ujmanit.

Përmes një postimi, Sadiku theksoi se veprime të tilla janë të rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ujërave të Kosovës, të cilat, sipas tij, përbëjnë pasuri strategjike të shtetit, transmeton Zeri.info.

Ai po ashtu shprehu përkrahje edhe për Komunën e Prishtinës në aksionet për largimin e objekteve të ndërtuara në prona komunale.

“Në përkrahje të plotë të veprimeve të qeverisë për largimin e objekteve pa leje dhe atyre të ndërtuara në prona shtetërore në Ujman. Veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e ujërave të Kosovës, të cilat janë pasuri strategjike e shtetit. Po ashtu, përkrahje e plotë edhe për Komunën e Prishtinës në largimin e objekteve të ndërtuara në prona komunale. Ligj dhe shtet. Për çdo qytetar dhe për çdo etni, pa dallim”, ka shkruar Sadiku. /Zëri