Obiliqi ashpërson masat kundër ndotjes
Foto: Laura Hasani

Obiliqi ashpërson masat kundër ndotjes

Aktuale July 24, 2026 - 20:52

Komuna e Obiliqit ka nisur zbatimin e masave më të rrepta kundër ndotjes së mjedisit, duke shqiptuar gjoba për hedhjen e mbeturinave në hapësira publike. Krahas ndëshkimeve, autoritetet thonë se gjendja është përmirësuar pas kalimit të shërbimit të pastrimit në ndërmarrjen publike komunale dhe largimit të deponive ilegale.

Me 200 euro gjobë u dënua ditë më parë një banor nga Obiliqi për hedhjen e mbeturinave në hapësirë publike.

Vendimi për ngritje të gjobës për hedhje të mbeturinave në vendet publike ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti.

Po ashtu me vendim të kryetarit të Komunës së Obiliqit, shërbimi i pastrimit është ndarë nga kompania regjionale "Pastrimi" duke kaluar në ndërmarrje publike komunale.

Kryetar i Obiliqit, Halil Thaqi, thotë se me katër kamion po mirëmbahen qendra e qytetit dhe 17 fshatra."Na është dasht filimisht me kërku ndihmë nga korporata energjetike e Kosovës që t'i pastrojmë 27 deponi ilegale. Poashtu ne bashkë me KEK-un kemi hapur deponi për mebturinat interte që edhe sot qytetartë vazhdojnë t'i hudhin aty dhe ajo është në pronësi të KEK-ut dhe për këtë kohë gjenjda e mebturinave është rregulluar dukshëm dhe tashmë nuk kemi deponi ilegale", tha ai.

"Gjendja deri tash ka qenë shumë keq kanë pas kontekste në mes veti tash e kan bërë qendrën këtu në Obiliq, tash e pagova raten e parë të mebturinave edhe është në rregull", thotë një qytetar.

Ndërkohë, aktivistë të mbrojtjes së mjedisit thonë se rol të veçantë për një ambient të pastër luan kapitali njerëzor i cili i njeh këto fusha deri në detaje."Në vendin tonë vazhdon të ketë mungesë të trurit që e njeh problematikën brenda institucioneve dhe për brenda komuniteteve të cilët janë të thirrur pikërisht për një temë kaq të rëndësishme, është thelbësore që të kuptohet menaxhimi i kapitalit njerzor që të arrin të targetoj politika më të mira të qeverisjes që ndihmojnë në tërheqjen e kapitaleve për pastrimin e ambienteve tona", theksoi Jeta Berisha, aktiviste socio-mjedisore.

Komuna apelon te qytetarët që të mos hedhin mbeturina, sepse përveç që do të gjobiten, ata shkaktojnë dëme të mëdha ambientale./rtk