150 euro për mjekët e sektorit publik, s’përfshihen infermierët, dorëzohen ankesa
Foto: Laura Hasani

150 euro për mjekët e sektorit publik, s’përfshihen infermierët, dorëzohen ankesa

Aktuale July 24, 2026 - 19:55

Ka më shumë se një vit që për punën që bëjnë në institucionet publike mbështetën financiarisht përtej pagës.

E, të enjten, ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, bëri të ditur se do të vazhdojë ekzekutimi i 150 eurove mbështetëse për mjekët e sektorit publik.

Sipas MSh-së, kjo po bëhet me qëllim të fuqizimit të sektorit publik.

Por jashtë kësaj pako mbështetëse u lanë infermierët.

Infermierja, Arbenita Gashi, kërkon që ministria t’i mbështesë edhe ata.

“Unë si infermiere e përgjithshme me bachelor duke punu në sektorin publik po ndjehemi të anashkaluar sepse jo pse mjekët nuk e meritojnë shumën prej 150 eurosh nëse nuk punojnë në sektorin privat por edhe ne infermierët e meritojmë një lloj stimulimi sepse kujdesi ndaj pacientëve nuk është vetëm nga mjekët por punë ekipore”, tha Gash.

Gashi ka një kërkesë për Odën e Infermierëve.

“Mirë kishte me qenë që Oda e Infermierëve të jetë më e zëshme në këtë aspekt dhe të ketë takime me Ministrinë e Shëndetësisë sepse është institucioni më i lartë”, u shpreh ajo.

E, nga Oda që përfaqësojnë infermierët reaguan përmes një komunikate duke kërkuar përfshirjen edhe të stafit të mesëm në këtë mbështetje.

Që ndarja e tillë është diskriminim e thotë Tevide Imeri nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.

“Konsideroj që është diskriminim nuk është që nuk e kemi bisedu sepse ka kohë që është marrë ky vendim dhe vazhdon të jepen nga 150 euro. E vërteta është se ne disa herë e kemi ngrit këtë çështje me ministrin sepse është diskriminim për gjithë personelin që është brenda shëndetësisë publike”, u shpreh Imeri.

Imeri tha se kanë pritur që kjo çështje të ndërpritet për shkak të pakënaqësive që u paraqitën vitin e kaluar.

“Unë kam konsideruar që kjo nuk do të vazhdojë për shkak se ka pas shumë pakënaqësi brenda sektorit të shëndetësisë por besoj që tash duhet të shkojmë me ndonjë padi apo diçka që me ngrit këtë pakënaqësi të punëtorëve, me qitë në letër”, u shpreh ajo.

Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje për televizionin nëse do të bëjnë përfshirjen e stafit të mesëm në këtë pako mbështetëse.

Në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë janë dorëzuar ankesa edhe të mjekëve që punojnë në sektorin privat./dukagjini