Oficeri i FSK-së përfundon kursin për operacione paqeruajtëse në Japoni

Oficeri i FSK-së përfundon kursin për operacione paqeruajtëse në Japoni

Aktuale July 27, 2026 - 19:23

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se major Driton Haxhiaj ka përfunduar Kursin e Komandantit të Kontingjentit të Operacioneve Paqeruajtëse në Tokio, Japoni.

Sipas FSK-së, kursi është organizuar nga Qendra Japoneze për Trajnim dhe Kërkim për Operacionet Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, pranë Kolegjit të Shtabit të Bashkuar të Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë.

“Ky kurs është i dedikuar për përgatitjen e komandantëve të kontingjenteve, batalioneve dhe sektorëve për udhëheqjen e operacioneve komplekse paqeruajtëse në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera shumëkombëshe”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

FSK-ja ka bërë të ditur se përmes ligjëratave profesionale, analizave të rasteve dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit avancojnë njohuritë dhe aftësitë në planifikimin, koordinimin dhe udhëheqjen e misioneve paqeruajtëse.