Abdixhiku pas takimit me ministrin francez: Stabiliteti institucional, kyç për rrugën evropiane të Kosovës

Abdixhiku pas takimit me ministrin francez: Stabiliteti institucional, kyç për rrugën evropiane të Kosovës

Aktuale July 27, 2026 - 19:52

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar zhvillimet politike në Kosovë, procesin e integrimit evropian dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Gjatë takimit, Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar se stabiliteti institucional është një parakusht për avancimin e reformave, zhvillimin ekonomik dhe përparimin e agjendës euroatlantike të vendit.

“Funksionalizimi sa më i shpejtë i institucioneve të Republikës së Kosovës është thelbësor për të garantuar stabilitet, për të shtyrë përpara reformat dhe për të avancuar rrugën evropiane të vendit”, ka thënë Abdixhiku, sipas njoftimit të LDK-së.

Në takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe për rëndësinë e thellimit të partneritetit në fusha me interes të përbashkët.

Abdixhiku ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj në përkrahjen e proceseve demokratike dhe perspektivës evropiane të vendit.

“Francës i jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për rolin e saj në fuqizimin e proceseve demokratike, perspektivës evropiane dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, është shprehur kryetari i LDK-së.

Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të forcuar raportet ndërmjet Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë në mbështetjen e proceseve integruese dhe zhvillimin institucional të vendit.