LVV-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij
Grupi i Asamblistëve i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Ramës dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, duke kërkuar nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet për legalizime të jashtëligjshme të objekteve.

Në një konferencë për medie para Prokurorisë Speciale, këshilltarja komunale Berita Abazi tha se grupi i asamblistëve ka pranuar një e-mail nga një sinjalizues anonim, i cili, sipas saj, përmban mesazhe ku flitet për legalizime të jashtëligjshme, kompani ndërtimi dhe shuma të mëdha parash.
Sipas Abazit, në komunikimet e dërguara përmendet edhe shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama, ndërsa në mesazhe pretendohet se janë kryer legalizime në kundërshtim me ligjin.

"Ne sot jemi këtu para Prokurorisë Speciale që të dorëzojmë zyrtarisht kallëzimin penal dhe të kërkojmë nga prokuroria veprim dhe hetim të menjëhershëm", deklaroi ajo.
Abazi tha se pretendimet janë serioze dhe se përmendja e kompanive ndërtimore, objekteve konkrete dhe shumave të parave përbën bazë që, sipas saj, kërkon verifikim të plotë nga organet e drejtësisë.

Ajo shtoi se Prokuroria duhet ta shqyrtojë secilin rast të përmendur në sinjalizim, duke verifikuar nëse objektet janë legalizuar, kur është bërë legalizimi dhe nëse janë respektuar procedurat ligjore.
"Është detyrë e Prokurorisë të hetojë dhe të vërtetojë nëse këto pretendime janë të vërteta. Nëse ekziston bazë e mjaftueshme ligjore, atëherë duhet të ndërmerren veprimet e parapara me ligj", tha Abazi.
