Pantina pas Kuvendit të LDK-së: Abdixhiku mbetet kryetar, shumica foli me një proces demokratik
Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina, ka deklaruar se me përfundimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm është konfirmuar se Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në.
Pantina tha se pas votimit pret që fokusi i partisë të zhvendoset drejt sfidave të ardhshme.
“Po, përfundoi votimi. Zotëri Abdixhiku vazhdon me mbete, shpresojmë se tash do të flitet për rrugën përpara”, tha Pantina.
E pyetur nëse me këtë rezultat është vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i LDK-së, ajo u përgjigj pozitivisht.
“Natyrisht, vazhdon me qenë kryetar i LDK-së”, u shpreh ajo.
Pantina e cilësoi rezultatin si fitore të demokracisë brenda partisë.
“Që demokracia ka fitu”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se, pavarësisht qëndrimeve personale, respekton vendimin e shumicës së delegatëve.
“Unë i respektoj vendimet e shumicës. Natyrisht dhe për mua zotëri Abdixhiku është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. S’ka rëndësi a pajtohem unë apo jo, ka folur shumica me një proces shumë demokratik, me një proces shumë të rregullt”, tha Pantina.
Lidhur me pretendimet për lobim gjatë procesit, Pantina tha se nuk mund të flasë për këtë, por theksoi se votimi ishte demokratik.
“Sot vota ka qenë demokratike. Çka ka ndodhë lobim nuk e di, vota ka qenë, procesi ka qenë shumë demokratik”, shtoi ajo. /eo