Fatmir Rexhepi: Delegatët vendosën që Abdixhiku të vazhdojë në krye të LDK-së, tani duhet të mbyllet kjo çështje
Foto: Laura Hasani

Fatmir Rexhepi: Delegatët vendosën që Abdixhiku të vazhdojë në krye të LDK-së, tani duhet të mbyllet kjo çështje

Aktuale July 30, 2026 - 22:20

Delegati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, ka deklaruar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së ka përmbyllur procesin e votimit për mocionin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke konfirmuar se delegatët kanë votuar për vazhdimin e mandatit të tij, raporton Ekonomia Online.

Pas përfundimit të votimit, Rexhepi tha se sipas rezultateve që kishte ai, rreth 170 delegatë kishin votuar kundër shkarkimit të Abdixhikut.

“Po. Pjesa e parë ka përfunduar sa i përket kryetarit. Po, diku 170 ishin për vazhdimin e kryetarit Abdixhiku”, tha Rexhepi.

Ai e cilësoi votimin si një proces demokratik, duke theksuar se me këtë duhet të përmbyllen përplasjet e brendshme në parti.

“Ishte një verdikt që u kërkua prej një pjese të delegatëve edhe kjo u dha mendimi. Mendoj që ishte një proces demokratik, u mbyll ky proces tash”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ky rezultat do të ndikojë në harmonizimin e marrëdhënieve brenda LDK-së, Rexhepi tha se pret që debatet e brendshme të përfundojnë.

“Po e drejtë, por megjithatë unë besoj që kjo i mbyll të gjitha… Tani përgjigja është e qartë për të gjithë neve”, deklaroi ai.

Rexhepi tha se në vazhdimin e punimeve të Kuvendit pritet të diskutohen edhe çështje të tjera, përfshirë strategjinë politike të partisë.

I pyetur për mundësinë e një bashkëpunimi ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se një marrëveshje do të ishte në interes të vendit.

“Si delegat e kam mendimin tim. Është në interes të vendit me i dhënë zgjidhje, është mirë Vetëvendosja edhe LDK-ja me e gjetur një kompromis edhe për presidentin, edhe për qeverinë edhe me e stabilizuar gjithë situatën”, tha Rexhepi.

Në pyetjen nëse të dy subjektet i kanë votat për zgjedhjen e presidentit, ai u përgjigj shkurt:

“Po në qoftë se duan i kanë”, tha ai.

Rexhepi shtoi se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe se qytetarët presin zgjidhje nga klasa politike.

“Mendoj situata e lypshme është me u rregulluar, sepse këtu duhet me krijuar një unitet të veprimeve i cili i jep një zgjidhje të drejtë të gjitha çështjeve të Kosovës. Gjithë populli po pret tash, s’ka nevojë më me testuar askënd”, shtoi ai.