Haxhiu pret Nafije Latifin, vlerëson kontributin e shoqatës “Jeta/Vita” në luftën kundër kancerit të gjirit

Haxhiu pret Nafije Latifin, vlerëson kontributin e shoqatës “Jeta/Vita” në luftën kundër kancerit të gjirit

Aktuale July 31, 2026 - 15:32

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim themeluesen dhe drejtuesen e shoqatës “JETA/VITA”, Nafije Latifi.

Haxhiu, përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Latifi është një grua që me forcën, përkushtimin dhe humanizmin e saj është bërë simbol i shpresës për shumë gra në Kosovë.

Postimi i saj i plotë:

Sot prita në takim znj. Nafije Latifi, themeluese dhe drejtuese e shoqatës “Jeta/Vita”, një grua që me forcën, përkushtimin dhe humanizmin e saj është bërë simbol i shpresës për shumë gra në Kosovë.

Pasi e ka mposhtur tri herë kancerin e gjirit, ajo e ka shndërruar përvojën personale në një mision jetësor, duke punuar prej më shumë se dy dekadash për vetëdijesimin e grave mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm, kontrolleve të rregullta dhe mbështetjes për të gjitha ato që përballen me këtë sëmundje.

Shpreha mirënjohjen time për znj. Latifi dhe ekipin e shoqatës “Jeta/Vita” për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe për mbështetjen psikologjike e sociale që u ofrojnë grave të prekura nga kanceri i gjirit. Institucionet dhe shoqëria jonë duhet të mbështesin iniciativa të tilla, të cilat luajnë rol tejet të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe në shpëtimin e jetëve të qytetarëve.