Kufizim i përkohshëm për kamionët mbi 20 tonë në autoudhë gjatë së hënës
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të hënën do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara, të cilat pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.
Ministria bën të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.
Nga masa përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.